Saltar al contenido
Accueil » Të gjithë janë të çmendur 

Të gjithë janë të çmendur 

  • Babel
Jacques-Alain Miller
image_pdfTéléchargerimage_printImprimer

30 maj 2023 / Orientimi lakanian

ShBP (AMP) 2024

Ia dedikoj këtë konferencë Angelina Harari, e cila si presidente përgjatë katër viteve, ka drejtuar Shoqatën botërore të psikanalizës (ShBP) me një dorë herë të fortë, herë të butë, por gjithmonë ashtu si duhej.

Më është ngarkuar të shpall titullin e kongresit të ShBP*. Përse kështu? Është bërë zakon, një farë tradite – rrezik ! Nuk do të jetë gjithmonë kështu. Por duhet besuar që ky moment nuk ka ardhur ende. Prandaj po vazhdoj. Kongresi ynë i ardhshëm do të mbajë titullin : Të gjithë janë të çmendur [1].

Konteksti

Ashtu si tituli i punimeve që po zhvillohen këto ditë – Gruaja nuk ekziston –, bëhet fjalë për një aforizëm të Lakanit. E peshkova në një shkrim të shkurtër, shkruar nga Lakani pasi ia kërkova unë diçka të tillë. Bëhej fjalë, në atë kohë, për të mbrojtur Departamentin e psikanalizës së Vincennes, ekzistenca e të cilit, në universitetin Paris 8, ishte e kërcënuar. Në fakt ndodh çdo vit e njëjta gjë,– për arsye konjukturale, si dhe për arsye strukturale. Sepse në të vërtetë, siç shkruan Lakani, psikanaliza nuk është lëndë mësimdhënieje [2]. Dhe kjo për shkak të kundërshtive, që i quaj strukturale, midis ligjërimit analitik dhe ligjërimit universitar, midis dijes gjithmonë të supozuar në praktikën e psikanalizës dhe dijes së ekspozuar, vendosur në majë fare, të ligjërimit universitar. Nuk po ndalem në këtë kundërshti që njhet nga të gjithë.

E nxorra këtë aforizëm nga disa rreshta të shkruar nga Lakani në një kohë që mund ta quanim të përtej-varrit, aq më tepër që vinte direkt pas Seminarit që ai e titulloi « Momenti për të konkluduar ». Gjithçka që Lakani shkroi apo tha pas këtij Seminari gëzon një status të veçantë après-coup në mësimet e tij – po përdor këtu fjalën që ai vetë ka përdorur para se ta hidhte poshtë. Dhe kjo u jep këtyre fjalëve fragmentare një vlerë testamenti. Shprehjen Të gjithë janë të çmendur, Lakani e formuloi një herë të vetme, në një tekst që u shfaq në një revistë konfidenciale, Ornicar ?. Pasi e kapa, e komentova, e përsërita, ky aforizëm hyri në gjuhën tonë të përbashkët, atë të ShBP dhe në atë që mund ta quajmë doxa jonë. Ai u bë madje një lloj slogani.

Në kontekstin e asaj kohe ky aforizëm u kuptua si një lajkatim i paragjykimeve të epokës, domethënë, i aspiratave demokratike për liri themelore të shtetasve, që iu imponuan hierarkisë tradicionale duke shkatërruar, në këtë mënyrë, hierarkinë që sundonte marrëdhënien e mjekut me pacientin e tij. E them pa nostalgji, që Lakani i kishte paraprirë kësaj ideologjie të kohës mbi barazinë universale të qënieve folëse duke nënvizuar vëllazërinë që lidhte, sipas tij, terapistin me pacientin e tij. Njeriun « e çliruar » të shoqërisë moderne, thoshte ai, duhet ta mirëpresim dhe po e citoj, ti hapim edhe një herë rrugë kuptimit të tij në kuadrin e një vëllazërie diskrete në të cilën ne mbetemi gjithmonë shumë të pabarabartë [3].

Depatologjizimi

Kur bëhet fjalë për vallazërinë, ajo ka reshtur së qëni diskrete prej kohësh, për tu shdërrruar  përkundërazi, në një kërkesë me zë të lartë dhe të qartë mbi çdo formë barazie totale, të plotë, të qënieve folëse.

Në këto kushte nuk duhet të habitemi që kjo kërkesë për barazi përkthehet në zhdukjen e programuar të klinikës. Të gjitha llojet e klinikës iu nënshtruan pak nga pak katalogut të madh klinik, gllabëruar dhe shkatërruar tashmë nga botimet e njëpasnjëshme të DSM. Dhe kjo në kohën kur të gjithë individët e prekur nga një çrregullim mendor, nga një handikap, nga ajo që deri dikur konsiderohej anormale, mblidhen dhe formojnë grupe. Këto grupe me bazë juridike, të rregjistruar – deri tek grupet e autikëve, të atyre që dëgjojnë zëra, etj, shdërrohen shpesh në grupe presioni. Duket se klinika do ti përkasë, së shpejti, të shkuarës. Na takon, pra, ta pozicionojmë praktikën tonë në këtë erë të re, pa nostalgji, pa hidhërim, pa menduar hakmarrjen.

Në një kontekst të tillë, aforizmi i Lakanit nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si diçka  që merr përsipër dhe vërteton atë që është duke ndodhur tashmë (jehonën e së cilës e dëgjuam më shumë se një herë gjatë këtyre Punimeve) : depatologjizimin. Nuk ka për të patur më patologji, në vend të tyre do të kemi, madje i kemi tashmë, stile jetese, të zgjedhura lirisht – një liri e pamohueshme pasi bëhet fjalë për atë të subjekteve të të drejtës. Mund të them pra se e drejta ka fituar ndaj të shtrëmbrës [4].

Frojdi flet për zëvendësimin që parimi i realitetit i bën parimit të kënaqësisë. Ne jemi dëshmitarë të zëvendësimit që parimi juridik po i bën atij klinik, i cili është asimiluar nga një supremaci që tashmë nderohet në rregjimet demokratike. Pasojat po fillojnë të ndihen që tani. Për të dhënë një shembull të kohëve të fundit, ligji që u shqyrtua këtë vit nga Parlamenti francez parashikon se do të konsiderohet krim çdo rezervë, hezitim apo modifikim, që i bëhet kërkesës së një subjekti – subjekt të së drejtës – i cili gjendet në një tranzicion gjinie, siç shprehemi sot. U desh ndërhyrja e instancave të Shkollës frojdiane që Asambleja kombëtare dhe Senati të miratojnë dy amendamente që përjashtojnë ndërhyrjen e terapistëve, me kusht që fjalët e tyre të jenë të kujdesshme, të nxitin reflektim dhe të mos bien ndesh me dashamirësinë dhe respektin që imponohet para asaj që e quajta zgjedhje e lirë e stilit të jetesës. Madje një politikan francez propozon sot që ndërrimi i gjinisë të përfshihet në Kushtetutë dhe të njihet si një e drejtë njerëzore themelore, gjë që deri tani është neglizhuar.

Në këto kushte, aforizmi që Lakani formuloi në 1978 duket se përputhet krejtësisht me Zeitgeist, shpirtin e kohës. Megjithatë, nëse ndjekim këtë logjikë, do të kishte qenë më mirë nëse do të kishte thënë: Të gjithë janë normalë.

Një paradoks i dyfishtë

Kur thua Të gjithë janë të çmendur, gjë që Lakani në tekstin e tij e plotëson me dmth delirantë, nuk mund të mos ndjesh jehonën e një kërcitjeje. Në fakt, nëse ngrejmë akuzën e çmendurisë apo delirit kjo implikon ende klinikën. Duket se kjo vërteton fundin e klinikës, por në terma që i përkasin pikërisht klinikës. Dhe ky nuk është paradoksi i vetëm që implikon ky aforizëm. Kështu, kush thotë që Të gjithë janë të çmendur ? Ai që e thotë nuk mund të mos jetë i çmendur. Pra ajo që ai thotë është delir. Si universale, është një kopje ekzakte e thënies së Epimenidit, e vënë në numrin njëjës me një Unë, pra unë gënjej. Ky paradoks i dyfishtë na bën të dyshojmë se aforizmi në fjalë mbart diçka më shumë dhe ndoshta diçka tjetër përveç vërtetimit të të ashtuquajturit depatologjizim.

E pranoj që duke iu përgjigjur këtij aforizmi, duke e ndarë nga konteksti i tij skriptual, duke e ngritur apo ulur në cilësinë e një slogani – o sa efikas ! – kam favorizuar një keqkuptim që duhet korrigjuar në momentin kur vendosim ta bëjmë atë temën e kongresit tonë të ardhshëm. S’ka gjë më të thjeshtë : mjafton ta rikthejmë në kontekstin e shkrimit të shkurtër nga ku e nxorra – gjë që do ta bëj në formëm më të shkurtuar që nevojit misioni i mbylljes së këtyre Punimeve, detyra ime për sot.

Dialektika për klinikën

Para se ti hyj kësaj pune rikontekstizimi po tregoj, nëpërmjet një daljeje të shpejtë nga tema, se si mund të shpëtohet klinika pavarësisht gjithë depatologjizimeve. Mjafton ti referohemi dialektikës së Shenjtërisë së tij Dupanloup, e cila i shërbeu qetësimit të gjakrave të atyre që, brenda Kishës, dolën kundër dënimeve në lidhje me liberalizmin, progresin dhe civilizimin modern që ishin artikuluar në Sillabusin e papa Piu të IX-të. Eveku dinak, zëdhënës i krahut liberal, procedon duke dalluar dy nivele : i pari është ai që ai e quan teza, ku pranohet parimi  si absolut ; më pas, duke iu qasur nga poshtë, ai shkruan hipotezën (në kuptimin e asaj që gjendet poshtë tezës), në të cilën është relativja ajo që triumfon. Parimi, edhe pse absolut në vetvete, hap një hapësirë modifikimesh, disa nga të cilat i nënshtrohen autoritetit të tij, por në të cilat merren parasysh rrethanat, ajo që është gjëja e duhur apo jo, nevoja për operativitet, etj. Kështu, absolutja dhe relativja, edhe pse kundërshtojnë njëra-tjetrën, mund të bashkëekzistojnë me kusht që të vendoset midis tyre një hierarki.

Duke e parë nën dritën e kësaj dialektike, teza jonë, si absolute, do të ishte zhdukja e çdo patologjie dhe barazia post-klinike. Por, për interesin publik dhe për të shmangur kaosin, madje shkatërrimin që do të sillte aplikimi qorrazi i parimit absolut, duhet të ruajmë atë që e dallon klinikën në nivelin e hipotezës. Mund të thosha që kjo do të pajtonte këndvështrimin e kolegëve të mi Dominique Laurent dhe François Leguil [5] me timin – tezë për mua, hipotezë për ata.

Ajo që nuk mësohet

Pas kësaj dalje nga tema, vërejtja apo korrigjimi im i parë është nga më të thjeshtët : do mjaftohesha të merrja në konsideratë fjalinë që vjen pas asaj Të gjithë janë të çmendur, dmth delirantë. Ja kush është kjo fjali : Kjo është pikërisht ajo që duket qartë në hapin e parë drejt mësimdhënies [6]. Në këtë pikë kemi depatologjizim, por edhe një ulje, shfronëzim dhe madje një shkatërrim të mësimdhënies – mund të duket e çuditshme që një subjekt, i cili për shumë kohë ka gëzuar pozicionin e mësuesit, të flasë për pamundësi mësimdhënieje.

Në fakt, çfarë, sipas Lakanit – Lakanit të fundit, Lakanit të përtejmë – duket e tillë, përveç faktit që të japësh mësim është një çmenduri, që mësimdhënia është delir? Kështu, aforizmi në fjalë shkruhet në kuadrin e një kritike të rreptë mbi funksionin e mësimdhënies. Kjo kritikë e rreptë – dhe vërtet klinike, do të shtoja – është kuadri i aforizmit Të gjithë janë të çmendur. Duke kuptuar atë që vijon në tekst vëmë re që, që në fillim, bëhet fjalë për një kritikë, jo mbi klinikën, por mbi gjithë mësimdhënien. Mund të dëgjojmë në këtë pikë sloganin që thotë : Duhet të jesh i çmendur që të japësh mësim, që ai që jep mësim deliron. Në një vështrim të parë, ajo që shqetëson Lakanin duket se është struktura e çdo mësimdhënie.

Mënyrë e çuditshme për të mbrojtur Departamentin e psikanalizës – ekzistencën e të cilës e ka inkurajuar dhe mbështetur gjithmonë – duke zhvlerësuar mësimdhënien dhe në veçanti atë të psikanalizës, ndërsa shkruan se ligjërimi analitik nuk është lëndë mësimi. E pse nuk na qenka ? Cilat janë arsyet që sjell Lakani për të sulmuar në këtë mënyrë funksionin e mësimdhënies ?

Së pari, ligjërimi analitik ndryshe nga tre ligjërimet e tjera që vetë Lakani ka teorizuar, nuk mëson asgjë sepse – thotë ai – përjashton dominimin. Ai nuk është ligjërimi i padronit, i cili është par excellence ligjërimi i dominimit që mbështetet mbi shënjuesin-padron të padiskutueshëm. Ligjërimi i padronit na mëson se çfarë është një dije, pra që dija është gjithmonë rob i shënjuesit-padron – gjë që nuk përgënjeshtrohet nga kushtet në të cilat lindi Universiteti, pak a shumë në kohën e mbretërimit të Charlemagne. Ai nuk është as ligjërimi universitar që vendos në pozicion dominues një dije, që bën të mundur dhe madje e ka të domosdoshme mësimdhënien. Ligjërimi universitar është, par excellence, ligjërimi i mësimdhënies. Së fundmi kemi ligjërimin histerik i cili e bën subjektin padron të padronit ; ai dominon dominuesin dhe duke bërë këtë ai e vë atë në punë, në punën që prodhon dije. Ai nuk është dija rob i padronit, aq më pak dija-padron, ai është ligjërimi që nxit shpikjen e dijes, aq sa Lakani nënvizon afërsinë strukturale të ligjërimit histerik me atë të shkencës.

Ligjërimi analitik mban, edhe ai, vendin e dominimit – lart në të majtë, në skemat e Lakanit, për ata që i njohin. Ndërkohë, ky vend është i zënë nga një element që nuk është bërë për të dominuar, për të drejtuar, për të nënshtruar, por që është bërë për të shkaktuar dëshirë : atë që Lakani e quan objekti a. Them objekti a, shkak i dëshirës, sepse pikërisht dëshira nuk lejon dominim, është pengesë ndaj çdo urdhërimi, përvidhet dhe ëndet. Ku është dëshira në këtë ligjërim ? Ajo ndodhet në një pozicion vetëm të supozuar – dhe jo eksplicite si në ligjërimin universitar. Duke qenë vetëm e supozuar, si e tillë sous-posé [e poshtëvendosur] ajo mbështet instancën e shkakut të dëshirës për të cilën analisti bën semblant-in. Dhe këtu mësimi nuk ekziston, gjë që nuk përjashton që në ndonjë rast edhe të mund të mësojmë, pa rregulla, pa koherencë, as sisteme – një dije që lidhet me takime rastësore, pa ligje. E pra, ligjërimi analitik nuk dominon. Veçanërisht ai nuk dominon subjektin e tij – këtë mund ta kuptoni si të doni.

Ja arsyeja e dytë që sjell Lakani për ti refuzuar ligjërimit analitik cilësinë e të qënit lëndë mësimdhënieje : S’ka asgjë universale. Në fakt, ai nuk është për të gjithë. Ai është, nëse mund të shprehem kështu, është për një të vetëm, për Një-më-vete (l’Un-tout-seul). Është vetëm për atë tek i cili interpretimi i bën vend dijes, një dije që avullon sapo pretendojmë ta universalizojmë, ta bëjmë të vlefshme për të gjithë. Mjafton të provojmë ti shpjegojmë një publiku të gjerë efektin sensacional të një interpretimi : ajo që zbulojmë është thjesht karakteri i zakonshëm, në mos i diskutueshëm i tij.

Po bëj këtu një nuancim. Lakani nuk thotë që psikanaliza nuk mund të jetë lëndë mësimi, por që ligjërimi analitik nuk mund të jetë, pra grosso modo praktika e psikanalizës. Nga ana tjetër kemi teoritë e psikanalizës, historinë e saj dhe debatet që ajo ndezi dhe që janë mbyllur tashmë. Të kuptohemi, kjo ndarje, ky veçim mes praktikës dhe teorisë së psikanalizës nuk përkthehet si mohim i Departamentit të psikanalizës, apo i pranisë së psikanalizës në Universitet. Përkundërazi, ky kufizim hap një rrugë : praktika e psikanalizës nuk mësohet ; e shumta ajo mund të mbikqyret me raste, çdo herë për një rast të veçantë, i cili nuk ngrihet në nivelin e universales, por që nëse denjojmë ta bëjmë mund ta ngrejmë në dinjitetin e paradigmës.

Pra Lakani u kërkon nxënësve të tij të bëjnë kujdes. Dijeni mirë që asgjë nga ato që ju do të mësoni mbi psikanalizën në universitet nuk do t’ju lejojë, ju, të bëni ekonominë e një psikanalize. Do t’ju duhet, ashtu siç tregohet në hyrjen e Shkrimeve [Écrits], të vendosni diçka nga vetja [7], të paguani nga personi që jeni dhe kjo duke u nisur nga çdo pozicion tjetër përveç atij të një nxënësi, dmth nga pozicioni i një të analizuari.

Nga e pamundura tek e nevojshmja

Po e orientoj vazhdimin e ligjërimit tim të mbylljes, i cili duket se është më shumë një hapje, duke u kapur pas këtij teksti të Lakanit dhe së pari pas fjalisë që kam vendosur në kopertinën e këtyre shkrimeve të shkurtra të koleksionit me titull « Paradokse ». Paragrafi i dytë fillon me paradoksin e tretë të këtij teksti : Si mund të arrijmë të japim mësim diçka që nuk mund të jepet ?

Nuk është hera e parë që Lakani e shndërron një të pamundur në reale. Le të themi se ai kalon këtu nga e pamundura tek e nevojshmja. Por si mund të japësh mësim diçka që nuk mundet ? Në fakt, nëse të japësh mësim është e pamundur është, po ashtu, e nevojshme. Duhet dalluar së pari, mësimdhënia nga mësimdhënia, pra nëse i referohemi Bertrand Russell, duhen shtresëzuar të dy termat. Kemi mësimdhënien marrë nga ana e të pamundurës dhe mësimdhënien nga ana e të nevojshmes. Të kalosh nga njëra tek tjetra është, sigurisht, problematike.

Ky kalim nuk është për të gjithë. Lakani lë të kuptohet se ai nuk u përket të gjithëve, por vetëm njërit, Frojdit. Këtë e shjegon fjalia që pason : Është rruga ku eci Frojdi. Kemi të bëjmë këtu me një privilegj : Frojdi, i pari dhe për shumë kohë, pati për detyrë mësimdhënien e asaj që nuk mund të mësohej, praktikën e psikanalizës. Dhe e bëri këtë duke e paguar mbi veten. Në Traumdeutung, ai sjell shumë nga ëndrrat e tij dhe nuk smbrapset deri në shterrimin e formacioneve të të pavetëdijshmes së tij për ta bërë psikanalizën të ecte para. Por ajo që vlen për të, nuk vlen për të gjithë.

Unë do të thoja që vlen po ashtu për Lakanin. Nuk është e mundur që ai të mos ketë menduar për veten. Ndërkohë, nuk është që e thotë këtë. Ndoshta është i vetmi rast kur ai tregon modestinë e tij, të cilën nuk e kishte vërtet zakon. Duke qënë se Lakani ishte një reformator i praktikës analitike, kjo vlen edhe për të, pavarësisht se ai është mbrojtur duke thënë se trajtat nga të cilat dallohet praktika e tij vlejnë vetëm për të. E imitojmë apo jo, kjo është përgjegjësi e secilit. Gjithsesi, të paktën në një rast, ai bëri doktrinë kohëzgjatjen e ndryshme të seancave, por jo atë të seancave të shkurtra. Në këtë pikë ka shumë për të thënë, por nuk do ta bëj tani sepse do të dal tek fjalia që vjen më pas, atje ku shfaqet aforizmi ynë.

« E gjitha është veç ëndërr »

Ja ku jemi : Frojdi konsideronte që e gjitha është veç ëndërr dhe që të gjithë (nëse mund të përdorim një shprehje të tillë) – në fakt, është universale, pavarësisht asaj që ai afirmon më përpara – të gjithë janë të çmendur, pra delirantë. Tezat që janë përqëndruar në këtë fjali i përkasin në të njëjtën kohë ëndrrës, çmendurisë dhe delirit. Ato duhet të shqyrtohen. Duhet pasur parasysh që Lakani ia atribuoi ato Frojdit. Për këtë arsye do të gërmoj në veprën e Frojdit për të ndriçuar këtë fjali, ku është në lojë gjithë metapsikologjia dhe gjithë klinika.

Vini re që tek Lakani nuk është që vetëm seancat janë të shkurtra, apo tejet të shkurtra. Shkrimet e tij janë gjithmonë nën tension, një tension që trondit gjatë gjithë kohës – sa më shumë që ai sillet rrotull, asocion, endet lart e poshtë, aq më shumë ligjërimi i tij tkurret papritur për të lëshuar një shigjetë të pamëshirshme që flakëron. Është ajo që ndodh edhe me këtë fjali – vetëm se në këtë shkrim të shkurtër gjithçka është fine, e zhveshur, e reduktuar deri në kockë.

Le të fillojmë me shprehjen e gjitha është veç ëndërr. Fjali që të lë pa frymë. Pyesim veten nëse e ka shkruar vërtet Lakani këtë, pasi në një seminar ai i referohet titullit të njohur të Calderón, Jeta është veç ëndërrim, për të mohuar tezën që ky titull sjell dhe për ta zhvlerësuar atë në lidhje me ligjërimin analitik. Nëse e gjitha është veç ëndërr, ç’është realja ? Mos duhet në fakt të themi që : asgjë nuk është reale (reale sipas kuptimit të Lakanit) ? Mos është realja vetëm iluzion, fiksion, madje delir ? Në fund të fundit, pse jo ?

Këtu po evokojmë fjalë të Lakanit që gjithmonë janë konsideruar enigmatike. Në mësimin e parë të botimit francez të Seminarit Le Sinthome [Sintoma], Lakani vë theksin mbi homogjenitetin e imagjinares dhe rales, që ai pretendon se mbështetet në strukturën binare të numrit, para se ti referohet teorisë së Cantor – të cilën e gjejmë veç të tjerash në vazhdim të këtij teksti të cilit po i analizoj përmbajtjen. Sigurisht që është homogjene kur e shprehim në formën e gjitha është veç ëndërr. Homogjeniteti imagjinare – reale plotësohet nga vërejtja që simboli e kapërcen imagjinaren [8]. Duket sikur, duke pasur parasysh matematikën që ai evokon veçanërisht teorinë e bashkësive, realja dhe po ashtu simbolikja absorbohen nga imagjinarja.

A nuk mjafton kjo për ta konsideruar plotësisht të bazuar pohimin që e gjitha është veç ëndërr ? Kjo supremaci e imagjinares është kushti sine qua non [i domosdoshëm] për ti lejuar vetes të themi që e gjitha është veç ëndërr. Lakani i filloi ato që duhen quajtur mësimet e tij duke vënë theksin në predominancën e imagjinares, si tek « Stadi i pasqyrës … » për shembull. A nuk është ndoshta imagjinarja ajo që Lakani përpiqet të promovojë në fund të trajektores së ligjërimit të tij ? Kjo nuk do ta linte të pakënaqur një shpirt të cilit i pëlqen që ligjërimi të mblidhet rreth vetes. Gjithsesi po e lë këtë temë pezull, duke përdorur stilin pyetës dhe mënyrën kushtore.

Shpikja e rales

Duke ndjekur këtë fill, gjejmë, në tekstin e mësimit të IX-të tek i njëjti Seminar, një shprehje të dytë të Lakanit. Vetë ai zbulon këtu një devijim nga Frojdi. Dhe ai thotë në fakt : instanca e dijes që Frojdi rinovon në formën e të pavetëdijshmes, nuk supozon detyrimisht realen që unë përdor [9]. Nga ky pohim unë veçoj faktin që, sipas Lakanit, teoria frojdiane e të pavetëdijshmes nuk supozon realen dhe se ajo mund të mbahet në këmbë pa realen.

Realja me një funksion në ligjërimin analitik është shpikja e tij, ajo është – tregon Lakani – reagimi i tij ndaj artikulimit frojdian të të pavetëdijshmes : dhe ai reagon duke shpikur realen. Lakani shkon deri atje sa e redukton realen thjesht në një përgjigje simptomatike të tijën [10] ndaj të pavetëdijshmes frojdiane. Në një farë mënyre kjo është ti heqësh këtij termi çdo pretendim universalizimi dhe ta reduktosh në simptomën e një-të-vetmi. Këtu ka ende shumë për të thënë, por po e lë me kaq.

Le të kthehemi tek ideja që teoria e Frojdit nuk supozon realen. Po, pa dyshim, por ajo artikulon faktin që diçka ndodh, gjë që i lejon subjektit të bëjë dallimin – ta themi kështu, pa hyrë në detaje – mes ëndrrës apo haluçinacionit nga njëra anë dhe realitetit nga ana tjetër.

Të zëvendësosh pa zhvlerësuar

Frojdi është luhatur shumë mbi statutin e këtij aparati, të këtij dispozitivi që ai e quan Realitätsprüfung, sprova e realitetit, siç e kemi përkthyer. Të mbështesësh pohimin se asgjë nuk është tjetër veç ëndërr, siç bën Lakani, do të thotë, në një farë mënyre, të neglizhosh sprovën e realitetit, ti amputosh teorisë frojdiane një term që duket thelbësor dhe që konsiderohet si i tillë prej psikanalistëve.

Çfarë paturpësie të zhbësh sprovën e realitetit dhe për më tepër t’ia veshësh këtë Frojdit ! Ndërkohë, teoria frojdiane nuk është aq e errët sa të mos dallojmë atë që është ruajtur nga vepra e tij, nga ajo që është lënë mënjanë. Ka vend për zgjedhje në veprën e Frojdit – e cila nuk është kopshti francez që mbolli Lakani, por një xhungël e vërtetë. Lakani zgjedh të vërë në dukje tek Frojdi atë që relativizon, madje bën iluzive, vetë nocionin e sprovës së realitetit. Kjo është një çështje pasionante për një analist dhe do ti qasem këtu veçse shkurtimisht.

Për këtë arsye do ti drejtohem menjëherë tekstit të shkurtër dhe magjistral të Frojdit me titull                     « Formulime mbi dy parimet e funksionimit psikik » – ose mendor, varet nga përkthimi – të 1911, duke lënë mënjanë dy tekste të tjera pararendëse. I pari gjendet në « Projekt për një psikologji shkencore » i 1895, i dyti në kapitullin e famshëm VII të Traumdeutung. Po lë mënjanë, po ashtu, tekstin e hartuar tre vite më vonë mbi metapsikologjinë e ëndrrave në të cilin ai shprehet – për herë të parë, besoj, siç dëshmon James Strachey, përkthyesi i admirueshëm i gjithë veprës së Frojdit në anglisht – që uni është selia e sprovës së realitetit (ai e thotë këtë dhe në shkrimin e tij mbi Verneinung). Termin sprovë e realitetit Frojdi e përmend për herë të parë tek « Formulime mbi dy parimet … », por ai vëren në të njëjtën kohë që proceset e pavetëdijshme nuk duan t’ia dinë shumë për sprovën e realitetit dhe se nuk influencohen nga veprimi i saj.

Së pari ky tekst synon të artikulojë marrëdhënien midis parimit të kënaqësisë dhe atij të realitetit. Do të ndalojmë në tezën e Frojdit sipas së cilës ngjarja vendimtare në zhvillimin psikik është Einsetzung, instalimi i parimit të realitetit, i cili përbën një progres të një rëndësie  të madhe : parimi i realitetit zëvendëson atë që ishte e këndshme, atë që kërkohej në perandorinë e parimit të kënaqësisë, një Lustgewinn, një përftim kënaqësie, një mbi-ëndje. Kemi kënaqësinë të gjejmë në psikanalizë një nga skemat më tradicionale, sipas së cilës rritja dhe pjekuria implikojnë heqjen dorë nga kënaqësia për tu përballur me realitetin e vështirë. Boll me shakara ! Gjithsesi, siç e vura më parë në dukje, e pavetëdijshmja nuk e njeh sprovën e realitetit.

Kësaj i shtohet një vërejtje e rëndësishme e Frojdit e cila nuancon, madje e kundërshton idenë e një zëvendësimi të pastër dhe të thjeshtë të parimit të parë me të dytin. Frojdi vetë e zbut atë që thotë : do të ishtë gabim po të mendonim se zëvendësimi i parimit të kënaqësisë me atë të realitetit implikon depozitimin, rrëzimin, shfronësimin (Absetzung në gjermanisht). Efektivisht – termi me të cilin përkthej fjalën Wirklichkeit –, zëvendësimi i parimit të kënaqësisë me parimin e realitetit bën të mundur, thotë Frojdi, një ruajtje më të mirë të parimit të kënaqësisë.

E thënë ndryshe dhe për të parodizuar një shprehje të famshme të Clausewitz, zëvendësimi lejon përndjekjen e parimit të kënaqësisë nëpërmjet parimit të realitetit. Ajo që synohet të arrihet nëpërmjet parimit të kënaqësisë është gjithmonë Lustgewinn, sipas termit që përdor herë pas here Frojdi dhe që ne do ta përkthenim me këtë shprehje të Lakanit : mbi-ëndje. Dhe duke rimarrë edhe kësaj here një formulë të Lakanit, kjo mbi-ëndje duket se është e pamundur për tu negativizuar nga parimi i realitetit.

Ëndërr dhe çmenduri

Shkurtimisht, nëse zgjedhim të privilegjojmë këtë perspektivë, dhe të ashtuquajturën sprovë të realitetit, do tregonim se në ç’pikë gjëndja e ëndërruesit është e pakthyeshme dhe që zgjimi është thjesht një iluzion. Të zgjohesh do të thotë të vazhdosh të ëndërrosh me sy hapur. Dhe në këtë kuptim gjithçka është veç ëndërr. Deliri, për Frojdin, i përket të njëjtës klasë fenomenesh me ëndrrën. Këtë ai e thotë në parathënien e botimit të parë të Traumdeutung : ëndrra është elementi i parë i një klase fenomenesh psikike anormale, ku elementët e tjerë janë fobitë histerike, obsesionet dhe deliret – duhet kuptuar ndërkohë se pse ai i vendos fobitë histerike dhe obsesionet në të njëjtin kapitull ; mbi këtë nuk kam reflektuar ende.

Plus kësaj, në kapitullin e Traumdeutung të titulluar « Marrëdhëniet mes ëndrrës dhe sëmundjeve mendore », Frojdi trajton në të njëjtën mënyrë ëndrrën dhe çmendurinë. Në mbështetje të tezës së tij ai citon filozofë – dhe siç mund ta dini ai nuk e ka për zakon këtë. Duhet pranuar që filozofët shfaqen shumë rallë në tekstet e tij. E pra, këtu ai citon Kantin : I çmenduri është ai që ëndërron ndërsa është zgjuar – dhe kjo është vërtet një tezë frojdiane – ; më pas citon Shopenhaurin kur thotë që ëndrra është vetëm një çmenduri e shkurtër dhe çmenduria një ëndërr e zgjatur.

Mos duhet të bëjmë një dallim të qartë mes ëndrrës si fenomen universal dhe çmendurisë që kap vetëm disa ? Sipas shumicës, duhet ti dallojmë njërën nga tjetra, nuk duhet ti futim në të njëjtën klasë. Por, nëse i referohemi orientimit të Clérambault, të cilën e evokoi dje François Leguil, është tipike e psikanalizës që të vërejë mes të dyjave vetëm ndryshimet cilësore dhe jo ndryshimet që kanë të bëjnë me natyrën e tyre. Është tipike e psikanalizës që ti vendosë këto fenomene në vazhdimësi, ndërkohë që u takon mbrojtësve të realitetit të përbashkët të bëjnë dallimin dhe të përcaktojnë vijën e pakapërcyeshme midis normales dhe patologjikes.

Pavarësisht kalimeve të shpejta që mu desh të bëj për të mos e zgjatur shumë këtë ligjërim mbylljeje, besoj se kam propozuar një orientim të qartë për punimet që do të paraqiten, pas dy vitesh, në kongresin tonë të ardhshëm.

Përktheu Eva Filaj

_________________________________________________________________________________________

* Ligjërimi i mbylljes së Punimeve të Gjera virtuale ndërkombëtare të ShBP Gruaja nuk ekziston, mbajtur në 3 prill 2022, në Maison de la mutualité në Paris dhe në videokonferencë.

Version i pregatitur nga Pascale Fari dhe Ève Miller-Rose me Romain Aubé dhe Hervé Damase si dhe me kontributin e Ariane Ducharme, Jean-Claude Encalado, Nathalie Georges & Cécile Wojnarowski. Teksti nuk është rilexuar nga autori dhe është publikuar me autorizimin e tij. Një botim i parë i tij është bërë në revistën La Cause du désir, nr. 112, nëntor 2022, f. 48-57.

1. Lacan J., « Lakani për Vincennes ! », Ornicar ?, nr. 17 / 18, pranverë 1979, f. 278.

2. Idem.

3. Lacan J., « Agresiviteti në psikanalizë », Écrits, Paris, Seuil, 1966, f. 124.

4. Kjo formulë, që tregon vendin e të « drejtës » në epokën tonë, është e kundërta e asaj që ka propozuar J.-A. Miller për të specifikuar orientimin e dhënë nga Lakani : I shtrëmbëri fiton mbi të drejtin (Miller J.-A., « Vërejtje në vrimë të gjilpërës », in Lacan J., Seminari, libri XXIII, Le Sinthome, Paris, Seuil, 2005, f. 209).

5. Cf. Laurent D., « Le pousse-à-la-femme : nga struktura tek logjika » & Leguil F., « Erotomania e depatologjizuar », prezantime në Punimet e Gjera, botuar në La Cause du désir, nr. 112, nëntor 2022, f. 88-94 & 82-87.

6. Lacan J., « Lakani për Vincennes ! », op. cit.

7. Cf. Lacan J., « Hyrje e kësaj përmbledhje », Shkrimetop. cit., f. 10.

8. Lacan J., Seminari, libri XXIII, Le Sinthomeop. cit., f. 18.

9. Cf. idem., f. 132.

10. Idem.