Në lidhje me Të gjithë janë të çmendur
Aforizmi Të gjithë janë të çmendur nuk u drejtohet të gjitha qënieve të Tokës, por vetëm qënieve folëse që i binden pak a shumë kodit të gjuhës dhe që janë të zhytur në ligjërimin që krijon lidhjet sociale. Sigurisht që kur flasim, kur i realizojmë ato çka themi, i bëjmë, në të njëjtën kohë, inekzistente – ky është kuptimi I formulës « fjala është ajo që e vret gjënë ». Por, ajo që e bën të çmendur dikë që flet, bazohet pikërisht në atë që duke folur dhe duke e bërë, në këtë mënyrë, gjënë inekzistente, subjekti fiton një qënie. Ne e njohim të gjithë Zonjën Bovary [1], e cila nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar kurrë, por qënia e të cilës është e siguruar nga një vepër që i jep trup. Le të marrim një shembull tjetër nga Russell : të thuash, mbreti i Francës është qeros, është çmenduri sepse mbreti i Fracës nuk ekziston [2]. Veç të tjerash, « duhet vërejtur se, nëse dikush që beson se është mbret është i çmendur, një mbret që beson se është mbret nuk është më pak i çmendur [3] ».
Një mbrojtje ndaj reales
Ky pushtet, që ka gjuha dhe ligjërimi, për ti bërë gjërat inekzistente, fsheh një dispozitiv të gjerë që e quajmë Tjetri i simbolikes. Ky Tjetër, thotë simbolikja, nuk ekziston realisht. Për këtë arsye ai e mbron subjektin nga ajo që, në reale, është e pasuportueshme për të. Ndërsa flasim dhe gjëja bëhet inekzistente, shënjuesit nuk na çojnë në shënjues të tjerë, referencat e tyre mbeten një vend i zbrazët. Kjo bën, në fund të fundit, që të flasim vetëm për mungesën e raportit seksual. Kur objekti a vjen për të mbushur zbrazëtinë e kësaj mungese, atëherë del në pah ëndja e pozitivizuar, por ajo mbetet diçka që nuk mund të thuhet. Edhe kur vendi i referencës mbetet bosh edhe kur zihet nga objekti a, realja mbetet, në të dyja rastet, jashtë gjuhës. Çmenduria përbën, pra, një mbrojtje universale dhe strukturale të qënies folëse ndaj reales. Ajo mbështëtet tek Tjetri edhe pse shpaloset në forma të ndryshme, në varësi të strukturës.
Në tekstin e tij Klinikë ironike, Jacques-Alain Miller përshkruan modalitetet e ndryshme të mbrojtjes që kanë të bëjnë më të folurën mbi atë që nuk ekziston. Neurotiku është i çmendur sepse e bën Tjetrin të ekzistojë duke pozicionuar tek ai objektin a, si konsistencë logjike të fantazmës së tij, por edhe si objekt të humbur që shkakton dëshirën e tij. Paranojaku është i çmendur sepse tek Tjetri ai pozicionon ëndjen, duke i dhënë në këtë mënyrë një konsistencë reale. Tjetri që nuk ekziston bëhet « hamës i objektit a [4] ». Ai transformohet në një Tjetër që ekziston, që kondenson ëndjen dhe ëndet me subjektin.
Skizofrenia është e vetmja ndër strukturat klinike që nuk i përgjigjet përkufizimit të çmendurisë si mbrojtje ndaj reales me ndërmjetësinë e Tjetrit [5], pasi tek ajo mungon dallimi mes simbolikes dhe reales. Për skizofrenin, fjala është gjëja apo simbolikja është reale. Jo vetëm që ai nuk e përdor Tjetrin për tu mbrojtur ndaj reales, por për ironinë e tij, ai e sulmon Tjetrin si simbolik dhe si lidhje sociale që mbështetet prej ligjërimit. Si pasojë, skizofreni është i zhytur në reale dhe nuk mbrohet dot prej saj.
Ashtu si skizofrenia bën përjashtim ndër strukturat klinike, psikanaliza bën përjashtim ndër ligjërimet mbi çmendurinë, pasi praktika psikanalitike nuk është një mbrojtje ndaj reales. Përkundërazi, ajo është një etikë që orientohet nga realja. Lakani nënvizon që ligjërimi analitik « nuk ka asgjë universale » dhe « për këtë arsye, shton ai, nuk është lëndë për mësimdhënie [6] ». Si universale, mësimdhënia i përket ligjërimit universitar, i cili jep një dije të ekspozuar që eviton realen. Psikanaliza nuk mësohet, ajo transmetohet në takime të tipit një me një dhe prodhon një dije të supozuar, që vlen vetëm për Një të vetëm [7]. Kur kjo dije shtyhet deri në ekstrem ajo shkakton një thyerje të artikulacionit S1àS2, që është vetë kushti i dijes universale. Shënjuesit S1 që pikasen gjatë këtij operacioni nuk i përkasin rendit të mohimit të reales, përkundërazi ata përcaktojnë realen e subjektit. Në këtë kuptim ligjërimi analitik nuk është aspak i çmendur.
Aforizmi Të gjithë janë të çmendur përmban një artikulim të fortë midis dy termave : ai përfshin njëkohësisht mësimdhënien dhe dijen nga njëra anë dhe klinikën e delirit nga ana tjetër. Deliri i përgjigjet strukturës së dijes. J.- A. Miller e paraqet delirin si një S2 që i përgjigjet konfuzionit që prodhohet nga shfaqja e një elementi elementar i cili mund të asimilohet në një S1 [8]. Sipas këtij konceptimi, fenomeni elementar do të kishte vlerën e një aksiome, të një postulati logjik, sa enigmatik aq dhe të pashpjegueshëm. Deliri, kur shfaqet në jetën e një subjekti, është një S2 që vjen për ti dhënë kuptim këtij elementi të pathjeshtueshëm dhe jashtë kuptimi.
Përgjithësime
Aforizmi që përbën titullin e kongresit tonë pajtohet me depatologjizimin bashkëkohor që zëvendëson parimin klinik me parimin juridik dhe sjell stile jetese në vend të patologjive [9]. Por nëse, nisur nga ky aforizëm, marrim në konsideratë anën tjetër të medaljes, atë që të gjithë janë normalë, që sëmundja mendore dhe psikoza nuk ekzistojnë, kjo do të na çonte në mohimin e reales. Demokratizimi i klinikës bëhet, në këtë rast, një formë çmendurie në vetvete. J.-A. Miller ka treguar shumë herë që konceptet e Lakanit lidhur me psikozat mund të përgjithësohen dhe tu aplikohen qënieve folëse si të tilla, pa iu hequr atyre vlerën klinike në momentin qëvendoset një diagnozë diferenciale.
Automatizmi mendor, është Tjetri
Së pari le të shohim një përgjithësim të bërë mbi një koncept që vjen nga psikiatria dhe që e ka përforcuar Clérambault: automatizmi mendor. « Formë fillestare e çdo psikoze [10] », automatizmi mendor është një « thëniezim i pavarur [11]», një ligjërim paralel, autonom, i huaj, që paraziton subjektin dhe e përshkon atë. Ky parazitizëm nuk është një patologji në vetvete, propozon J.- A. Miller. Ai përfaqëson Tjetrin e gjuhës, që është pjesë e qënies humane si e tillë. Kjo tezë pajtohet me një thënie të Lakanit që tingëllon si rimë : « Automatizmi mental, është normal ! [12] ». Psikotiku gjithsesi dallon këtu, pasi ai e pranon prezencën e huaj të këtij Tjetri që flet përmes tij, që i drejtohet herë pas here dhe i ndërhyn. Nga ana tjetër neurotiku nuk e pranon faktin që Tjetri flet tek ai, ai ruan iluzionin që është ai vetë që flet, me përjashtim të rasteve kur pranon të pavetëdijshmen. Përgjithësimi i fenomenit të automatizmit mendor, pra, nuk na pengon të bëjmë dallimin mes psikozës dhe neurozës.
Paranoja ordinere
Në një rregjistër tjetër, atë imagjinar, J.- A. Miller e trajton paranojën duke u nisur nga « raporti primar me tjetrin [13] » që i përket rendit të një paranoje të përgjithësuar. Ky konceptim i ka rrënjët në një lidhje, të cilën Lakani e ka mbrojtur në tezën e tij të doktoraturës, atë midis personalitetit dhe paranojës. Ne e kemi të qartë vështirësinë që hasim ndonjëherë në klinikë për të veçuar unin e paranojakut nga fortifikimet alla Vauban [14] që përbëjnë unin e obsesivit, sepse pavarësisht strukturës së subjektit, uni është paranojak. Këtë mund ta lexojmë edhe tek Frojdi, në tekstin e tij Mohimi [15], ku ai përshkruan ndërtimin e unit që konsiston, thotë ai, në pozicionimin e objektit të mirë brenda unit dhe objektin e keq jashtë tij – e pra, edhe ky lokalizim i ëndjes së keqe jashtë unit është një mënyrë paranojake e marrëdhënies që ndërtohet me tjetrin. Duhet theksuar se ky konceptim i unit paranojak shfaqet në mësimet e Lakanit që tek stadi i pasqyrës, ku mbretëron logjika agresive e « o ti, o unë ». Dhe, nëse marrim në konsideratë që uni është jo vetëm armiqësor ndaj tjetrit, por edhe narcisik, atëherë mund të flasim për paranojën si normale dhe të lidhur me një megalomani të përgjithësuar ose ordinere.
Kujtojmë që ndërtimi i unit, sipas stadit të pasqyrës, ndodh në dy kohë. Në kohën e parë, atë të organizmit, trupi është i copëtuar. Në kohën e dytë, ndërtohet imazhi i unifikuar i trupit, organet mblidhen dhe ndërlidhen. Të ngjashme me këto dy kohë të stadit të pasqyrës janë dhe dy kohët e ndërtimit të delirit, me një un, në kohën e dytë, si një sferë perfekte që rezulton krejtësisht e njëjtë me ndërtimin delirant. Pas stadit të pasqyrës, nisur nga imazhi i trupit të tij të unifikuar, subjekti ndërton për botën një imazh fantazmatik, në një formë sferike dhe ideale, si globi i posterit të kongresit tonë të XIV-të të ShBP. J.- A. Miller nënvizon që kjo paranojë, e përgjithësuar si raport primar me tjetrin, kundërshton konceptimet mbi kuptimin e thellë të tjetrit sipas teorive të intersubjektivitetit [16]. Më shumë se i kuptueshëm, tjetri është thellësisht i huaj dhe kërcënues.
Forclusion [Përjashtimi] : një transferencë dimensioni
Deliri i përgjithësuar, ashtu siç e kemi përshkruar deri këtu, është një ndërtim imagjinar ose simbolik. Forclusion-i [përjashtimi], në dallim me delirin, nuk është një ndërtim, por flakja e një elementi të rregjistrit simbolik i cili, pas kësaj, shfaqet në reale. J.- A. Miller e quan këtë kalim nga një rregjistër në tjetrin transferencë dimensioni [17]. Këtë fenomen e takojmë në të gjitha strukturat.
Një shënjues flaket në reale kur ai kondenson një mbi-ëndje që s’mund të thuhet. Rasti i njeriut me tru të fresket të Ernest Kris, komentuar nga Lakani [18], tregon qartë se si pamundësia e shënjuesit për të përballuar pulsionin prodhon një flakje në reale, në formën e një acting out. Këtu bëhet fjalë për një forclusion [përjashtim] që nuk ndodh në kuadrin e një psikoze, por në marrëdhënien midis analistit dhe të analizuarit. Mund të themi se ndërhyrja e analistit që nuk merr në konsideratë fjalën e pacientit, si një të vërtetë mbi pulsionin oral, hedh poshtë këtë pulsion të simbolikes. Ajo rishfaqet atëherë në sjelljen e pacientit që vë në akt këtë pulsion. E pathëna që nuk është dëgjuar nga analisti është kthyer në reale në anën e pacientit.
Po ashtu në rastet e histerive, një kalim i tillë në reale mund të manifestohet në pantomimën e subjektit, pra në sjelljen e tij në botë. Kujtojmë rastin e pacientes gjatë prezantimit të të sëmurit të Lakanit, që dëgjon rikthimin në reale të fyerjes « dosë [19] », gjë që dëshmon për ëndjen e pamasë që e kishte pushtuar në momentin kur shkëmbehej, në korridorin e ndërtesës, me mikun e fqinjës së saj. Në të njëjtat kushte, shkruan J.- A. Miller, një subjekt histerik nuk dëgjon zëra, por « nuk është e pamendueshme që të kishim një rikthim në reale, në një formë tjetër – të sjelljurit me burrat sikur të gjithë këta të ishin derra » [20]. Në neurozën obsesionale është vështrimi i babait ai që mund të marrë konsistencë dhe të prodhojë një frenim madhor. Kjo konsistencë reale e vështrimit është manifestimi i paturpësisë së mbiunit që shënjuesi nuk mund ta mbajë dhe që hidhet poshtë ngë simbolikja për tu zhvendosur drejt reales.
Këto koncepte që lidhen me psikozën, të përgjithësuara dhe që i atribuohen qënies folëse, tregojnë që aforizmi Të gjithë janë të çmendur mund të bashkekzistojë me njohjen e reales së klinikës. Fakti që këto fenomene i gjejmë në të gjitha strukturat psikike nuk sjell detyrimisht fshirjen e tyre.
Një forclusion [përjashtim] i pandashëm nga kura
Le ti rikthehemi çështjes së mësimdhënies. Duhet të jesh i çmendur, thotë Lacan, që të duash të transmetosh psikanalizën sipas modelit universitar, si një dije të ekspozuar dhe universale. Megjithëkëtë, formimi i psikanalistit është në zemër të veprimtarisë së Shkollave të ShBP. Kjo do të thotë se nëse nuk ekziston një mësimdhënie e psikanalizës që ka një kuptim të tillë, ekziston, siç e pamë, një transmetim i mundshëm i saj nga njëri tek njëri. Dija që është në lojë në këtë transmetim ndryshon nga dija që dominon, ajo ku rolin e ka padroni. Është një dije që fut tmerrin. Lakani vë në dukje, veç të tjerash, se ekzistojnë dyshime mbi faktin se sa kandidatët për analizë do të angazhoheshin në këtë eksperiencë nëse do ta dinin se në biletën e hyrjes së saj është shkruar varfërim subjektiv. « Mjafton ndalimi i asaj që i imponohet qënies sonë, vazhdon ai, për të kuptuar se e kemi lënë veten në një kthim të fatit që është mallkim. Le të rikujtojmë verdiktin lakanian : ajo që refuzohet në simbolike, rishfaqet në reale. [21] »
E thënë ndryshe, ka një forclusion [përjashtim] të mundshëm, që lidhet me vetë kurën analitike ndërsa i refuzojmë vetes dijen që prodhohet prej varfërimit subjektiv. Ky varfërim që i imponohet subjektit gjatë analizës, sjell zhvlerësimin e asaj mbi të cilën ai mbështetet – vuajtjen e tij, fantazmën e tij, identifikimet e tij, ankesën e tij, ndarjen e tij si subjekt dhe supozimin e tij mbi dijen. Subjekti atëherë duhet të mbështetet mbi vetë ekzistencën e tij sepse ajo është pika e vetme e bindjes që mund të orientojë etikën e tij. Ky pranim i mosekzistencës së Tjetrit lidhet me një formë pranimi të reales. Ajo mund të provokojë « tmerrin, indinjatën, panikun [22] », por ajo përbën gradën zero të çmendurisë.
Përktheu Eva Filaj
_________________________________________________________________________________________
1. Miller J.-A., « Orientimi lakanian. Njëri i vetëm », pjesë e mësimeve të mbajtura në departamentin e psikanalizës të Universitetit Paris 8, mësim i 23 mars 2011, i pabotuar.
2. Miller J.-A., « Psikoza në tekstin e Lacan », Analytica, nr. 58, 1989, f. 137.
3. Lacan J., « Mbi kauzalitetin psikik », Écrits, Paris, Seuil, 1966, f. 170.
4. Miller J.-A, « Klinikë ironike », La Cause freudienne, nr. 23, f. 11.
5. Idem., f. 7.
6. Lacan J., « Lacan për Vincennes! », Ornicar ?, nr. 17/18, pranverë 1979, f. 278.
7. Miller J.-A., « Të gjithë janë të çmendur, AMP 2024 », La Cause du désir, nr. 112, nëntor 2022, f. 52. Tekst orientues i kongresit të ShBP 2024. Shumë pika që trajtohen këtu mund ti gjejmë në këtë tekst. https://rrethilakanianshqiptar.com/2024/01/17/te-gjithe-jane-te-cmendur/
8. J.-A. Miller « Shpikja e delirit », La Cause freudienne, nr. 70, 2008, f. 81-93.
9. Miller J.-A., « Të gjithë janë të çmendur, AMP 2024 », op. cit., f. 49-50.
10. Miller J.-A., « Mësime mbi prezantimin e të sëmurit », Bisedë në Arcachon, Agalma – Le Seuil, 1997,f. 294.
11. Idem., f. 295.
12. Lacan J., « Drejt një shënjuesi të ri », tekst i hartuar nga Jacques-Alain Miller, Ornicar ?, nr. 17/18, pranverë 1979, f. 22.
13. Miller J.-A., « Paranoja, raporti primar me tjetrin », The Lacanian Review, nr. 10, dhjetor 2020, f. 56-90.
14. Lacan J., « Agresiviteti në psikanalizë », Écrits, op. cit., f. 108.
15. Freud S., « Mohimi », Rezultate, ide, probleme, II, 1921-1938, Paris, PUF, 1992, f. 135-139.
16. Miller J.-A., « Paranoja, raporti primar me tjetrin », op. cit. f. 82.
17. Miller J.-A., « Përjashtimi i përgjithësuar », La Cause du désir, nr. 99, qershor 2018, f. 135.
18. Lacan J., « Drejtimi i kurës dhe parimet e saj të pushtetit », Écrits, op. cit., f. 598-600.
19. Lacan J., « Mbi një çështje paraprake të trajtimit të mundshëm të psikozës », Écrits, op. cit., f. 534-535.
20. Miller J.-A., « Përjshtimi i përgjithësuar », op. cit. f. 135.
21. Lacan J., « Propozimi i 9 tetorit 1967 mbi psikanalistin e Shkollës », Autres écrits, Paris, Seuil, 2001, f. 252.
22. Idem.